Në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier është paraqitur sot mësuesi 60-vjeçar M. S, i cili ndodhet nën hetim për vepra penale që lidhen me komunikimin e papërshtatshëm me një të mitur.
Sipas të dhënave hetimore, 60-vjeçari dyshohet se i ka dërguar një nxënëseje 13-vjeçare mesazhe me përmbajtje erotike dhe ka komunikuar në mënyrë të papërshtatshme me të miturën.
Gazetarja e RTSH-së, raporton se gjendja psikologjike e vajzës është rënduar si pasojë e situatës, ndërsa ajo u ka treguar fillimisht nënës dhe më pas babait për mesazhet e marra.
Pas marrjes së dijenisë për ngjarjen, prindërit kanë bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë në Lushnjë.
Uniformat blu kanë nisur menjëherë verifikimet dhe kanë administruar materialet e nevojshme hetimore, përfshirë komunikimet që dyshohet se janë shkëmbyer mes të dyshuarit dhe të miturës.
Gjatë ditës së sotme, 60-vjeçari pritet të dalë përpara trupit gjykues për shqyrtimin e masës procedurale. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale të “Veprave të turpshme” dhe “Pornografisë”.
/rtsha.al/