Thursday, 1. October 2026
Sport

AMORIM I HAP DERËN TALENTËVE! Milanit i vjen “armata” e të rinjve!

GS 01/10/2026 3 Min. Lesezeit

Ruben Amorim pritet t’u japë më shumë minuta disa prej talenteve të rinj të Milanit në javët e ardhshme, pasi kalendari i ngjeshur do të krijojë më shumë mundësi për rotacion.

Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, deri më tani është mbështetur kryesisht te futbollistët me më shumë eksperiencë, ndërsa disa prej lojtarëve të rinj të skuadrës kanë pasur shumë pak mundësi për të zbritur në fushë.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, të përcjella nga MilanNews, gjatë merkatos së verës pati oferta për disa prej talenteve të Milanit, por Amorim besoi te potenciali i tyre dhe klubi vendosi t’i mbajë në skuadër.

Në mesin e lojtarëve të rinj që pritet të kenë më shumë hapësirë janë portieri Lorenzo Torriani, i cili bëri një para-sezonë të mirë, mbrojtësit Valeri Vladimirov dhe Sankhoun Diawara, si dhe mesfushori Christian Comotto. Në repartin ofensiv bëjnë pjesë Francesco Camarda dhe Alphadjo Cisse.

Cisse është ai që deri tani ka marrë më shumë minuta mes këtij grupi dhe ka arritur të shënojë edhe dy gola. Ndërkohë, pjesa tjetër e talenteve ka pasur shumë pak mundësi për të treguar veten në fillim të sezonit, transmeton ORAinfo.

Kalendari i ngjeshur hap derën për të rinjtë

Pas pushimit ndërkombëtar, Milani do të përballet me një periudhë me ndeshje çdo tre ose katër ditë, deri në pushimin e radhës ndërkombëtar në nëntor.

Kjo situatë pritet t’i detyrojë kuqezinjtë të bëjnë më shumë rotacion dhe, rrjedhimisht, t’u japin hapësirë edhe lojtarëve të rinj.

Njëri prej tyre është Christian Comotto, i cili pritet të përfshihet në rotacionin e mesfushës dhe mund të bëjë debutimin e tij sezonal në ndeshjet e ardhshme të Serie A dhe Europa League.

18-vjeçari rinovoi kontratën me Milanin gjatë kësaj vere, një tjetër tregues se klubi dhe Amorim kanë besim të madh te potenciali i tij.

Camarda, alternativa e parë për sulmin

Një tjetër lojtar që pritet të ketë më shumë minuta është Francesco Camarda.

Sulmuesi i ri është alternativa e parë dhe e vetme në skuadër për Gonçalo Ramos, i cili nuk mund të luajë çdo ndeshje nga minuta e parë dhe të përballojë 90 minuta në çdo takim.

Situata e kombëtares së Portugalisë dhe ndeshjet e mbetura të saj mund të ndikojnë gjithashtu te Ramos, i cili mund të rikthehet në Milanello me më shumë lodhje pas angazhimeve ndërkombëtare.

Në një skenar të tillë, Camarda mund të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr sulmin e Milanit në ndeshjen pas pushimit ndaj Sassuolos.

Edhe talentet e tjera pritet të kenë mundësitë e tyre. Në veçanti, Sankhoun Diawara mund të aktivizohet për t’i dhënë pushim mbrojtësit Strahinja Pavlović.

Pas një fillimi sezoni ku Amorim është mbështetur te lojtarët me më shumë eksperiencë, kalendari i ngjeshur mund të jetë momenti kur talentet e Milanit të marrin më në fund shansin e shumëpritur. /ORAinfo/

Teilen: