Sunday, 4. October 2026
Sport

Turizmi në zonat e mbrojtura në Kukës, ADZM përgatitet për menaxhimin në vjeshtë dhe dimër

GS 04/10/2026 2 Min. Lesezeit

Edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit, zonat e mbrojtura të qarkut Kukës vijojnë të jenë një destinacion për vizitorët.

Kushtet dhe peizazhet që ofrojnë këto zona bëjnë që turistët të interesohen edhe jashtë sezonit të verës, ndërsa ADZM vijon monitorimin dhe kujdesin për këto territore.

Për menaxhimin e situatave të mundshme emergjente gjatë muajve të dimrit, ADZM Kukës po bashkëpunon me bashkitë, Policinë e Shtetit, strukturat e emergjencave civile dhe institucionet e tjera përgjegjëse. Bashkëpunimi synon reagimin në kohë dhe garantimin e sigurisë së vizitorëve në zonat e mbrojtura.

“Stina e vjeshtës karakterizohet nga ngjyrat e veçanta të natyrës dhe tërheq shumë persona të apasionuar pas fotografisë, biodiversitetit dhe turizmit natyror. Mund të themi se edhe gjatë vjeshtës dhe dimrit ka vizitorë që zgjedhin të eksplorojnë këto zona. Valbona mbetet destinacioni më i frekuentuar, megjithëse numri i vizitorëve varet edhe nga kushtet atmosferike. Për shkak të bukurive natyrore dhe peizazheve unike, ajo vazhdon të jetë një nga vendet më të vizituara gjatë kësaj periudhe.”

Në shtigjet më të frekuentuara do të vendoset edhe sinjalistikë shtesë, me qëllim orientimin e vizitorëve dhe shmangien e problematikave gjatë lëvizjes në terren.

“Stafi ynë, krahas detyrave të tjera të monitorimit dhe menaxhimit të aktivitetit, është angazhuar edhe në sensibilizimin e vizitorëve dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike. Deri tani janë mirëmbajtur dhe sinjalizuar rreth 5 mijë kilometra shtigje turistike. Edhe gjatë kësaj periudhe, pavarësisht kufizimeve që mund të sjellin terreni dhe kushtet atmosferike, do të vijojë puna për përmirësimin e tyre dhe vendosjen e tabelave orientuese. Rreziku kryesor mbetet mungesa e informacionit. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje të gjithë vizitorëve që të kontaktojnë guidat lokale ose stafin e zonave të mbrojtura, sidomos në periudha me mot të vështirë, reshje apo mjegull, në mënyrë që të marrin informacionin e duhur lidhur me kalueshmërinë e shtigjeve dhe zonat që mund të vizitohen.”

Strukturat përgjegjëse kërkojnë që vizitorët të informohen për kushtet e motit dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në shtigjet malore.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Teilen: