Sunday, 4. October 2026
Sport

Ndezi zjarr për të djegur mbeturinat, flakët u përhapën dhe dogjën ullishte, arrestohet 33-vjeçari në Mallakastër

GS 04/10/2026 2 Min. Lesezeit

Një 33-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Mallakastrës, pasi dyshohet se ndezi zjarr për të djegur mbeturina në tokën e tij, por flakët u përhapën në sipërfaqe të tjera për shkak të erës së fortë.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Mollaj, ndërsa i arrestuari është shtetasi D. K., 33 vjeç, banues në Ballsh.

Sipas Policisë, nga hetimet paraprake dyshohet se 33-vjeçari kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në pronën e tij. Për shkak të kushteve atmosferike dhe erës së fortë, flakët janë përhapur në tokat përreth.

Si pasojë, janë shkaktuar dëme në sipërfaqe të mbjella me ullinj, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe çatinë e një banese.

Për shuarjen e flakëve u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe ato zjarrfikëse, të cilat arritën të lokalizojnë dhe shuajnë vatrat e zjarrit. Sipas autoriteteve, nuk pati persona të lënduar.

33-vjeçari është arrestuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Në vijim të ngjarjes, Policia Fier u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në periudhat kur era favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve.

Policia u bën thirrje në mënyrë të veçantë banorëve që të mos djegin mbetjet bujqësore apo të pastrojnë tokat përmes djegies, pasi një veprim i tillë mund të çojë në përhapje të pakontrolluar të zjarreve.

/rtsh.al/

Teilen: