Kosova dhe Austria janë ndarë baras 1:1 në “Fadil Vokrri”, në një ndeshje ku Dardanët ishin shumë pranë fitores, por pësuan gol në minutat e fundit.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me Austrinë që kishte më shumë posedim dhe krijoi disa mundësi të rrezikshme.
Amir Saipi ishte në formë të mirë, duke bërë disa pritje të rëndësishme, ndërsa Kosova pati rastet e veta përmes Veldin Hodzës dhe Dion Gallapenit.
Në pjesën e dytë, Kosova e rriti ritmin.
Baton Zabërgja shënoi në minutën e 51-të, por goli u anulua për pozitë jashtë loje. Pak më vonë, Veldin Hodza ishte pranë golit, por portieri Alexander Schlager bëri një pritje të shkëlqyer.
Në minutën e 67-të, Franco Foda bëri dy zëvendësime të rëndësishme, duke futur Milot Rashicën dhe Fisnik Asllanin. Ky i fundit nuk vonoi të ndikonte në lojë.
Asllani shënon tri minuta pas inkuadrimit
Në minutën e 70-të, Fisnik Asllani e dërgoi topin në rrjetë për 1:0, vetëm tri minuta pasi kishte hyrë në fushë në vend të Vedat Muriqit.
Kosova ishte shumë pranë golit të dytë në minutën e 73-të. Milot Rashica kaloi dy kundërshtarë dhe goditi nga jashtë zonës, por topi u përplas në shtyllën e djathtë.
Austria vazhdoi të kërkonte golin e barazimit dhe në fund e gjeti.
Në minutën e 85-të, pas një rivënieje të gjatë dhe një devijimi me kokë nga Sasa Kalajdžić, Christoph Lang shënoi nga afërsia për 1:1.
Në fund, Kosova tentoi të rikthehej në epërsi, por pa sukses.
Madje, Dardanët patën edhe një moment shqetësues kur Milot Rashica u detyrua të largohej nga loja për shkak të një lëndimi.
Kështu, Kosova merr një pikë në shtëpi ndaj Austrisë, në një ndeshje ku epërsia e krijuar nga Asllani nuk mjaftoi për fitoren.