Monday, 5. October 2026
Sport

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Gogu: Lufta kundër korrupsionit mbetet e panegociueshme

GS 05/10/2026 2 Min. Lesezeit

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale nuk cenojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se përballja me veprat e rënda penale mbetet një prioritet i panegociueshëm. Gogu tha se rishikimi i Kodit synon të forcojë garancitë për qytetarët, pa dobësuar mekanizmat për hetimin dhe ndëshkimin e kriminalitetit të rëndë.

Në videon e publikuar në rrjetin social Facebook nga ministri, Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Antwerp dhe ekspert i Këshillit të Evropës, vlerësoi procesin e hartimit të ndryshimeve, duke thënë se gjatë diskutimeve janë lënë mënjanë disa propozime që mund të vështirësonin hetimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë. Byl theksoi se legjislacioni dhe procedura penale shqiptare po afrohen me standardet ndërkombëtare dhe e cilësoi paketën e ndryshimeve si një instrument të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë.

“Gjatë diskutimeve shumë ndryshime dhe shumë ide që do ta bënin më të vështirë hetimin në çështjet e korrupsionit dhe në çështjet e krimit të organizuar të nivelit të lartë u lanë mënjanë”, deklaroi Byl. Sipas tij, ndryshimet e propozuara janë rezultat i një procesi të gjatë dhe të kujdesshëm pune. “Mendoj se legjislacioni dhe procedura shqiptare po sillen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë pikë jam vërtet në favor të zbatimit të këtij sistemi shumë të mirë në të gjithë Kodin tuaj të Procedurës Penale”, u shpreh eksperti i Këshillit të Evropës. Byl shtoi se paketa e ndryshimeve është produkt i një pune serioze të zhvilluar gjatë disa muajve. “Mendoj se ky ligj është një instrument shumë i mirë. Është rezultat i një pune serioze gjatë shumë muajve”, tha ai.

/rtsh.al/

Teilen: