Trajneri i Juventus, Luciano Spalletti, shpjegon dallimet mes klubeve të mëdha që ka drejtuar: “Te Roma stërvit një tifozeri; te Napoli, një qytet; te Inter, një traditë; dhe te Kombëtarja, një popull të tërë. Juventusi? Këtu stërvit një mentalitet; është vetë historia e futbollit”.
“Nuk mund të jetosh vetëm me futbollin, duhet ta jetosh frymën bardhezi. Bëhet fjalë për gëzim, krenari dhe përgjegjësi. Ndihem i lumtur dhe i lirë këtu; është diçka madhështore, edhe pse natyrisht ka përgjegjësi të mëdha të cilat i pranoj me dëshirë“, deklaroi Spalletti.
Trajneri tha se e pranoi projektin sezonin e kaluar për shkak të besimit te skuadra, te vetja dhe te historia e klubit. Lidhur me nisjen e sezonit, ai thotë: “Jemi në një periudhë ndryshimi, siç e dëshmon edhe drejtimi i ri i klubit. Megjithatë, pronësia mbetet e njëjtë, gjë që është pozitive”.
“Elkann zotëron një thjeshtësi që të lejon të krijosh menjëherë lidhje me personin që ke përballë. Rritja e kapitalit me 250 milionë euro tregon se sa shumë kujdeset familja për Juventus dhe kjo më bën të ndiej edhe më shumë presion e përgjegjësi”, komentoi trajneri Spalletti.
Më tej, ai shtoi: “Humbja ndaj Sassuolo na dëmtoi, por jemi në rrugën e duhur. Shoh elementet e nevojshme për të rifituar ritmin dhe stilin e lojës që shfaqëm për periudha të gjata vitin e kaluar.”
Duke folur për Kenan Yildiz, ai tha: “Çdo lëvizje e tij është një vepër gjenialiteti; as ai vetë nuk e di se çfarë mund të bëjë më pas. Ndonjëherë në stërvitje, dikush mund ta parashikojë lëvizjen që ai po bëhet gati të kryejë, por ai ia del mbanë gjithsesi. Ai mund të krahasohet me Kvara”.