Kuvendi i Kosovës ka dhënë dritën jeshile për financimin e projektit të rinovimit dhe zgjerimit të kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim u miratua me 95 vota për, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Marrëveshja parasheh një kredi prej 60 milionë eurosh, ndërsa projekti mund të përfitojë edhe një grant shtesë prej 10 milionë eurosh.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, shpjegoi se fondet do të përdoren për modernizimin e hapësirave të kampusit universitar, veçanërisht të konvikteve, si dhe për rinovimin dhe ndërtimin e objekteve sportive në institucionet arsimore përreth.
Sipas tij, investimi nuk do t’i shërbejë vetëm organizimit të Lojërave Mesdhetare, por do të krijojë përfitime afatgjata për studentët dhe qytetarët.
Gjatë “Prishtina 2030”, kampusi i studentëve pritet të shndërrohet përkohësisht në fshatin e atletëve, ndërsa objektet sportive të shkollave përreth do të funksionojnë si qendra stërvitore për pjesëmarrësit e Lojërave.
“Përtej Lojërave Mesdhetare, projekti është i dizajnuar për të vendosur një trashëgimi të qëndrueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës si dhe banorët e qytetit”, ka deklaruar Murati.
Investimi synon kështu që, krahas përgatitjes së infrastrukturës për një ngjarje të rëndësishme sportive ndërkombëtare, të përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme kushtet e akomodimit, hapësirat universitare dhe kapacitetet sportive në Prishtinë.
Pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, infrastruktura e rinovuar pritet të mbetet në funksion të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe komunitetit.