Monday, 5. October 2026
Futboll

Real Madridi blindon Arda Gulerin, marrëveshja për kontratën e re është arritur

GS 05/10/2026 2 Min. Lesezeit

Real Madridi ka bërë një tjetër lëvizje për të siguruar të ardhmen e Arda Gulerit, duke arritur marrëveshje të plotë me talentin turk për vazhdimin e kontratës.

Sipas ekspertit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, palët kanë gjetur tashmë gjuhën e përbashkët dhe marrëveshja konsiderohet e mbyllur. Tani mbetet vetëm që klubi madrilen të vendosë momentin e duhur për ta bërë zyrtar rinovimin.

Kontrata aktuale e Gulerit me “Los Blancos” skadon në vitin 2029, por drejtuesit e klubit kanë dashur të sigurojnë qëndrimin e tij edhe përtej kësaj periudhe.

Si pjesë e marrëveshjes së re, 21-vjeçari pritet të përfitojë një rritje të ndjeshme të pagës, si vlerësim për paraqitjet dhe progresin e tij në skuadër.

Guleri ishte një nga futbollistët që la më shumë gjurmë te Reali sezonin e kaluar, ndërsa këtë edicion ka vazhduar të dëshmojë se po shndërrohet në një pjesë të rëndësishme të ekipit.

Në katër paraqitje këtë sezon, turku ka regjistruar një gol dhe tri asistime, duke konfirmuar ndikimin e tij në repartin ofensiv.

Me rinovimin e kontratës, Real Madridi synon të mbyllë derën për çdo interesim të mundshëm nga klubet e tjera dhe të sigurojë një prej talenteve më premtues për vitet e ardhshme.

Arda Guler, ndërkohë, duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit afatgjatë të “Los Blancos”.

Teilen: