Monday, 5. October 2026
Futboll

Tensionet shpërthejnë në tunel, trajneri irlandez akuzon futbollistin izraelit për pështyrje

GS 05/10/2026 3 Min. Lesezeit

Ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit nuk përfundoi vetëm me rezultatin 1-1, pasi tensionet mes dy përfaqësueseve u bartën edhe jashtë fushës.

Një incident i dyshuar ka ndodhur në tunelin e stadiumit gjatë pushimit mes pjesëve, ku trajneri i fitnesit të Kombëtares së Irlandës, Damien Doyle, raportohet se është pështyrë nga një futbollist i Izraelit.

Sipas pretendimeve të stafit irlandez, incidenti ndodhi teksa të dyja skuadrat po drejtoheshin drejt dhomave të zhveshjes pas përfundimit të pjesës së parë.

Gjyqtari spanjoll Juan Martinez Munuera nuk e kishte parë momentin e pretenduar, por ndërhyri menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe një përplasje fizike mes palëve.

Përballja ishte zhvilluar në një atmosferë të tensionuar edhe për shkak të situatës politike dhe luftës në Gaza. Irlanda, e cila ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme ofensivën izraelite në Gaza, vendosi që ndeshja “vendase” të luhej në Baçka Topolë të Serbisë, për arsye sigurie.

Tensionet ishin të dukshme edhe para fillimit të takimit. Futbollistët irlandezë ulën kokat gjatë himnit kombëtar të Izraelit, ndërsa në krahë mbanin shirita të zinj në shenjë solidariteti me komunitetin në Gaza. Ata gjithashtu nuk pranuan t’u jepnin dorën lojtarëve kundërshtarë.

Pas ndeshjes, trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, konfirmoi se Doyle kishte pretenduar se ishte pështyrë, por la të kuptohej se incidenti nuk do të ndiqej më tej.

“Ka pasur shumë prej këtyre ‘aksidenteve’ dhe ne ishim mjaftueshëm të mençur për t’i shmangur ato para se situata të shkonte shumë larg”, deklaroi Hallgrimsson.

Ai shtoi se besonte se qëllimi ishte provokimi i futbollistëve irlandezë.

“Ndjeva se qëllimi i tyre ishte të na frikësonin dhe të na bënin të bënim diçka të pamatur. I jap shumë merita mënyrës se si lojtarët tanë i menaxhuan emocionet e tyre”, tha ai.

Ndërkohë, në momentin e raportimit, as Federata Irlandeze dhe as ajo Izraelite nuk kishin dhënë një qëndrim zyrtar për incidentin.

UEFA, nga ana tjetër, bëri të ditur se nuk kishte pranuar ndonjë ankesë zyrtare lidhur me rastin dhe për këtë arsye nuk kishte bazë për të ndërmarrë masa.

Ndeshja përfundoi me rezultat 1-1, por përballja u shoqërua me tensione të forta para, gjatë dhe pas saj.

Teilen: