Ka nisur në Durrës zbatimi i skemës së re të parkimit me pagesë në disa prej rrugëve të qytetit dhe në tre sheshe publike.
Në orët e para të aplikimit, një pjesë e qytetarëve nuk ishin ende të informuar për ndryshimin, pavarësisht njoftimeve të mëparshme nga Bashkia dhe Policia Bashkiake. Autoritetet thonë se kjo është faza e parë e zbatimit dhe se qytetarët duhet të familjarizohen me mënyrën e re të pagesës.
Flamur Gjuzi, drejtor i Policisë Bashkiake Durrës u shpreh “ Policia Bashkiake ka qenë në terren që nga ora 08:00. Faktikisht, shërbimi ka filluar që në orën 07:00, por prej orës 08:00 ka qenë në dispozicion të këtij shërbimi të ri për qytetarët e Durrësit. Shumica e qytetarëve kanë aplikuar për pagesën e parkimit. Ka pasur edhe raste kur automjetet kanë qëndruar prej ditësh në këto vende parkimi dhe ende nuk janë larguar. Për këto raste, sot kemi vendosur masa minimale, por në ditët në vijim masat do të ashpërsohen edhe më shumë nëse këta qytetarë nuk zbatojnë rregullat, ashtu siç ka vepruar shumica e qytetarëve sot.”
Tarifat për parkimin në rrugët e përcaktuara janë 40 dhe 100 lekë për orë, ndërsa pagesa kryhet përmes SMS-së në numrin 55255.
Në tre sheshet publike aplikohen tarifa të tjera. Pagesa mund të kryhet edhe në mënyrë elektronike, përmes kartave të debitit dhe sistemit POS, të vendosur në pikat përkatëse të parkimit.
Kontrollet do të kryhen nga Policia Bashkiake, me një punonjës për çdo 500 metra linearë rruge, i cili do të verifikojë nëse drejtuesit e automjeteve kanë kryer pagesën për parkimin përmes SMS-së në numrin 55255.
/rtsh.al/