Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë nisur nga Shkodra serinë e takimeve me strukturat vendore të Policisë.
Takimi zhvillohet në një periudhë kur situata kriminale në qark, veçanërisht kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, mbetet në fokus të institucioneve ligjzbatuese.
Gjatë takimit pritet të analizohet situata e rendit dhe sigurisë në qark, rezultatet e strukturave vendore dhe mënyra se si drejtuesit aktualë po përballen me problematikat e evidentuara.
Burime bëjnë të ditur se vlerësimi i performancës së drejtuesve vendorë mund të pasohet edhe me ndryshime në strukturat drejtuese të Policisë në Shkodër.
Në vijim të vizitës, ministri Demo pritet të takohet edhe me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Në fokus të këtij takimi pritet të jenë çështjet e rendit dhe sigurisë, si dhe problematikat që lidhen me qytetin dhe qarkun e Shkodrës.
/rtsh.al/