Sot, edhe zyrtarisht nis sezoni 2026/27 në basketbollin e femrave në Kosovë, me ndeshjen finale të Superkupës, që do të luhet në Pejë.
Në finalen e Superkupës së Kosovës, do të përballen Peja 03 – Bashkimi, ndërsa ndeshja nis në orën 19:00 dhe luhet në palestrën “Karagaçi”.
Pritet të jetë një përballje interesante, pasi këto dy skuadra do të luftojnë për trofetë tjerë në sezonin e ri, i cili zyrtarisht nis këtë vikend.
Bashkimi nga Prizreni ka dominuar totalisht në basketbollin e femrave vitet e fundit, ndërsa Peja 03 ishte rivali më i madh në sezonin e shkuar.
Të dy skuadrat janë përforcuar dhe bërë gati për sezonin e ri, i cili nis me trofeun e Superkupës.
Vitin e shkuar, Peja 03 pati mposhtur Bashkimin për ta fituar trofeun e parë në histori të klubit kurse klubi nga Prizreni ka gjashtë trofe të fituar të Superkupës.
Sezonin e shkuar, Bashkimi krahas titullit dhe kupës së Kosovës, triumfoi edhe në Ligën Unike ku në katër sezonet e fundit, në total ka fituar 12-të trofe.