Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka deklaruar se modernizimi i arsimit ushtarak sipas standardeve euroatlantike mbetet prioritet i qeverisë shqiptare.
Duke folur nga kampusi të ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, ku ka nisur viti i ri akademik, me 289 studentë që i bashkohen rrugëtimit të formimit profesional dhe ushtarak për t’i shërbyer vendit, Nufi e cilësoi kampusin e ri si një dëshmi të vizionit për ndërtimin e Forcave të Armatosura moderne, profesionale dhe të afta për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes.
Ministri theksoi se arsimi ushtarak dhe modernizimi i tij mbeten një prioritet, duke nënvizuar nevojën për një sistem arsimor cilësor, konkurrues dhe të ndërveprueshëm me standardet euroatlantike.
“Këtu qëndron edhe përgjegjësia jonë: që të ndërtojmë një sistem arsimor ushtarak që i përgjigjet nevojave të Forcave të Armatosura të sotme, por që përgatit njerëzit për sfidat e së nesërmes.
Të ndërtojmë një sistem cilësor, konkurrues dhe plotësisht i ndërveprueshëm me standardet euroatlantike – sepse Shqipëria është një aleate e përkushtuar e NATO-s, tashmë jo më një konsumatore, por një kontributore aktive e saj. Ne nuk duam vetëm të jemi pjesë e Aleancës, por duam të jemi një aleate gjithnjë e më e aftë për të kontribuar në të”, u shpreh ministri Nufi.
Viti i ri akademik 2026-2027 e ka gjetur Akademinë e Forcave të Armatosura në një kampus të ri sipas standardeve ndërkombëtare.
Sipas Ministrit Nufi, investimi në arsim është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare, veçanërisht në një kohë kur inteligjenca artificiale, kërcënimet kibernetike dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë mënyrën e zhvillimit të konflikteve dhe operacioneve ushtarake.
“Ushtarakët e së ardhmes nuk duhet vetëm të dinë se si të përdorin teknologjinë, por edhe të kuptojnë se si ajo ndryshon mënyrën e të menduarit, të planifikimit dhe të vendimmarrjes”, tha më tej Ministri Nufi.
Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes vlerësoi gjithashtu punën e pedagogëve, instruktorëve dhe stafit të Akademisë, si dhe mbështetjen e familjeve të studentëve në rrugëtimin e tyre.
Në ceremoni ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji; Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Ferdinand Dimo; akademikë, komandantë, drejtues, ushtarakë dhe studentë.
/rtsh.al/