Wednesday, 7. October 2026
Sport

Ambasada e SHBA: Mbi 200 efektivë të zbatimit të ligjit u certifikuan gjatë vitit 2026

GS 07/10/2026 2 Min. Lesezeit

Më shumë se 200 profesionistë të zbatimit të ligjit në Shqipëri janë certifikuar gjatë vitit 2026 pas përfundimit të trajnimeve të specializuara për hetimin e krimeve, një program që synon forcimin e kapaciteteve hetimore dhe rritjen e standardeve profesionale në punën e policisë.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila përshëndeti specialistët e krimit të Policisë së Shtetit që përfunduan me sukses Kursin për Hetimin e Krimeve, Niveli 1, në Akademinë e Sigurisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada amerikane theksoi rëndësinë e formimit profesional në procesin hetimor.

“Çdo hetim i mirëfilltë nis nga bazat: të bësh pyetjet e duhura, të shqyrtosh provat dhe të ndjekësh faktet”, thuhet në mesazhin e Ambasadës së SHBA-së.

Sipas saj, kursi është hartuar nga Programi Ndërkombëtar i Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP) i Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe ka për qëllim përmirësimin e aftësive profesionale të hetuesve shqiptarë.

“I hartuar nga Programi Ndërkombëtar i Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP) i Departamentit të Drejtësisë të SHBA, ky kurs forcon aftësitë hetimore dhe ndihmon në zbatimin e standardeve të njëjta dhe në rritjen e llogaridhënies në punën e policisë”, thekson ambasada.

Autoritetet amerikane vlerësojnë se këto trajnime kontribuojnë drejtpërdrejt në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkufitar.

“Gjatë vitit 2026 janë certifikuar më shumë se 200 profesionistë të zbatimit të ligjit. Puna e tyre forcon luftën tonë të përbashkët kundër krimit transnacional dhe korrupsionit dhe ndihmon në mbrojtjen e komuniteteve në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara”, nënvizon Ambasada e SHBA-së.

Programet e mbështetura nga ICITAP janë pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, me synimin për të rritur profesionalizmin e strukturave ligjzbatuese dhe për të garantuar hetime më efektive kundër aktiviteteve kriminale.

/rtsh.al/

Teilen: