Raul Asencio më në fund sheh dritë në fund të tunelit. Mbrojtësi 23-vjeçar i Real Madrid iu nënshtrua një operacioni në tibie një javë më pare, një ndërhyrje që do ta mbajë jashtë fushave të paktën deri në fillim të vitit 2027.
“Gjithçka nisi një vit më parë; nga janari e tutje, çarja mbahej nën kontroll falë trajtimit konservativ. Por dhimbja sa vinte e shtohej. Po vuaja, megjithatë nuk mund të ndaloja sepse ekipi ishte parësor”, tha asensio.
“Unë gjithmonë mendoj për këtë klub dhe këtë stemë. Megjithatë, përfundimisht fraktura u zgjerua dhe kuptova se duhej të operohesha“, tha mbrojtësi spanjoll në një intervistë për gazetën ‘AS’.
Ekziston një foto ikonike ku José Mourinho e viziton në spital menjëherë pas operacionit. Asencio buzëqesh: “Ajo vizitë më dha një shtysë të madhe energjie. Në ato momente pasigurie, kur vret mendjen se si do të shkojë rikuperimi dhe sa gjatë do të jesh jashtë fushave, fakti që Mou erdhi të më shihte dhe tregoi atë afërsi është jashtëzakonisht inkurajues”.
“Mou është i qasshëm, modest, miqësor dhe ambicioz. Ai është një njeri fantastik në aspektin njerëzor, si dhe një trajner i madh. Nga jashtë, ne lojtarët shihemi si të paarritshëm dhe të shkëputur nga realiteti, por në të vërtetë, jemi thjesht njerëz“, tha Asensio.
“Kishim një imazh për Mourinho që nga koha kur isha i ri, atë personalitetin e tij të fortë. Por pas dyerve të mbyllura, ai është një njeri i mrekullueshëm, gazmor, që dëshiron të kalojë shumë kohë me ne dhe ne me të. Ai është vërtet pjesë e grupit në dhomën e zhveshjes“, tha Asensio.