Granit Xhaka ka folur publikisht për vendimin e drejtësisë në lidhje me çështjen e certifikatës së falsifikuar të COVID-19.
Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës ka bërë të ditur se është dënuar me një gjobë me kusht prej 3 mijë frangash zvicerane, ose 50 ditë pune, për sigurimin e një certifikate të rreme përmes mashtrimit.
Vendimi është marrë përmes një procedure të shkurtuar, ndërsa Xhaka do të jetë në periudhë prove për dy vjet.
Kjo do të thotë se mesfushori nuk do të duhet ta paguajë gjobën, për sa kohë që gjatë kësaj periudhe nuk kryen shkelje të tjera. Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se tashmë i ka mbuluar shpenzimet gjyqësore.
Vetë Xhaka ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku ka pranuar vendimin dhe ka marrë përgjegjësinë për veprimin e tij.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, ka shkruar kapiteni zviceran, duke treguar gjithashtu se më herët kishte dhënë një deklaratë të plotë përpara zyrës së prokurorit.
Çështja kishte tërhequr vëmendje të madhe edhe disa javë më parë, kur Xhaka foli publikisht për akuzat ndaj tij.
Tashmë, pas përfundimit të procedurës, 34-vjeçari nga Kosova ka falënderuar edhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
Xhaka theksoi se mesazhet e shumta që ka marrë nga tifozët dhe mbështetësit e tij kanë pasur një rëndësi të veçantë për të.
Me këtë çështje tashmë të sqaruar në aspektin ligjor, vëmendja pritet të rikthehet te futbolli dhe te e ardhmja e Xhakës me Kombëtaren e Zvicrës.