Sylvinho kaloi 8 vite në La Liga, 3 te Celta dhe 5 te Barcelona. Ai përjetoi dhomën e zhveshjes së Rijkaard, luajti me Ronaldinho, Xavi, Eto’o, Deco dhe Puyol, ndër të tjerë, si dhe ishte dëshmitar i hapave të parë të Pep Guardiolës në drejtimin e ekipit të parë. Në një intervistë për “Flashscore”, ish-mbrojtësi brazilian dhe trajneri i kombëtares sonë kuqezi kujton ato vite dhe shpjegon çfarë fshihej pas një prej skuadrave më të mira në histori.
“Spanja ishte diçka që doja ta provoja që kur isha 15, 16 apo 17 vjeç. Kisha shumë dëshirë të shijoja futbollin spanjoll, sepse luanin shumë mirë, – kujton Sylvinho. – Kur shihja Romarion dhe golat e tij, isha adoleshent. Më pas ishin Rivaldo, Giovanni dhe shumë të tjerë. Doja të isha atje”.

Mbërritja te Barcelona në vitin 2004 i dha mundësinë të ishte pjesë e një grupi të jashtëzakonshëm, por Sylvinho këmbëngul se ajo skuadër nuk u ndërtua vetëm mbi emrat e mëdhenj: “Mesazhi ishte shumë i qartë: jeni këtu sepse duam të arrijmë diçka të rëndësishme dhe të fitojmë trofe. Trofe, futboll serioz, punë e palodhur dhe profesionalizëm, ky ishte mentaliteti”.
Më tej shton: “Nuk bëhej fjalë vetëm për Ronaldinho, Xavi, Eto’o, Deco, Puyol apo ndonjë prej këtyre emrave. Pas skuadrës kishte një ide: Djema, vraponi. Punoni për 90 minuta në çdo ndeshje dhe në çdo seancë stërvitore”. Ronaldinho zë një vend të veçantë në kujtimet e tij: “E pabesueshmja ishte lehtësia me të cilën bënte gjithçka. Ishte talent i pastër”.
Diferenca, sipas Sylvinho, mund të qëndronte në një sekondë të vetme: “Nëse ia jepje topin një sekondë më herët, mund të kthehej, të çorientonte kundërshtarin dhe të krijonte diçka spektakolare. Këto janë detajet e vogla dhe të bukura që përjeton në futboll”.

Me ardhjen e Guardiolës, Sylvinho kuptoi se Barcelona mund të bëhej diçka edhe më e veçantë: “Ajo që më impresionoi më shumë ishte qartësia e gjithçkaje. Nuk ishte vetëm Pep. Ishte i gjithë stafi, i gjithë ekipi teknik. Kishte kontroll, por ishte kontroll pozitiv, jo ushtarak”.
Barcelona, që tashmë ishte një skuadër e madhe, bëri një tjetër hap përpara: “Fituam pothuajse të gjitha ndeshjet. Barcelona ishte tashmë një skuadër shumë e mirë, por u bë edhe më e mirë. Ishte e vështirë të luaje kundër Barcelonës më parë, por më pas u bë një makth”.
Për Sylvinhon, një nga sinjalet e para të mëdha erdhi në “Santiago Bernabéu”, në “El Clásico” e majit 2009, kur Guardiola vendosi Messin si “9 fals”: “Për mua, ishte në ‘Bernabéu’, kur Messi filloi të luante si 9 fals. Këtë e kishim provuar në stërvitje dy ose tri ditë para ndeshjes”.

Kur ideja funksionoi në një prej skenave më të vështira të botës, ai e kuptoi: “Kur sheh se diçka e tillë funksionon në ‘Bernabéu’, mendon: Kjo është një formulë që mund të funksionojë”.
Sylvinho ia atribuon një pjesë të madhe të suksesit aftësisë së Guardiolës për të komunikuar idenë e tij: “Një pjesë e madhe varej nga personi në krye, mënyra se si ishte në gjendje ta komunikonte idenë dhe ta zbatonte në fushë. Pep ishte aq i sigurt për këtë…”
Dhe, sigurisht, ishin futbollistët që mund ta çonin atë ide në një tjetër nivel: “Nëse më jep një 8 dhe dikush më jep një 9, 9.5 ose 10, mund ta kthejnë atë 8 në një 10. Atë ditë gjithçka u përshtat. Ishte një nga ato ndeshje ku gjithçka funksionoi në mënyrë perfekte”.

Ai kujton edhe futbollin e asaj skuadre dhe kërkesën e Guardiolës për rikuperimin e menjëhershëm të topit: “Të luaje futboll të bukur dhe ta mbaje topin ishte spektakolare. Këtë e mësuam nga Pep dhe stafi i tij. Por duhej të ishim gjithashtu të gatshëm ta rikuperonim shpejt topin, t’i jepnim energji lojës dhe më pas t’ua transmetonim atë energji njerëzve”.
Madje kishte ndeshje kur Barcelona dukej sikur luante vazhdimisht në gjysmën e kundërshtarit: “Mbaj mend një ndeshje ku, si mbrojtës krahu, nuk besoj se mbrojta për pesë minuta. Ishte sulm pas sulmi: kontroll, kontroll, kontroll dhe pastaj sërish përpara”.