Pas më shumë se dy dekadash në kërkim ndërkombëtar, 52-vjeçari shqiptar Valentin Ftoni është lokalizuar dhe arrestuar në SHBA falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe agjencive federale amerikane.
52-vjeçari ishte dënuar dy herë me nga 25 vite burg për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, ndërsa është arrestuar në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001, ndërsa dyshohet se përdori identitete të rreme në SHBA.
Sipas Policisë së Shtetit, më 28 shtator 2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e dënoi Valentin Ftonin me 25 vite burg për vrasjen me paramendim, në bashkëpunim, dhe veprat që lidhen me armëmbajtjen pa leje. Ngjarja kishte ndodhur më 19 shtator 2000, në Ças të Velipojës, ku u vranë dy shtetas, për motive gjakmarrjeje.
Ndërkohë, më 18 nëntor 2008, e njëjta gjykatë e dënoi sërish me 25 vite burg për vrasjen e një shtetasi tjetër, ngjarje e ndodhur më 12 gusht 2001.
Hetimet e autoriteteve shqiptare dyshojnë se, pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin amerikan. Sipas policisë, ai dyshohet se ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.
Pas lokalizimit dhe arrestimit të tij në Nju-Jork, autoritetet shqiptare po vijojnë procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë, me qëllim vuajtjen e dënimeve të dhëna nga drejtësia shqiptare.
/rtsh.al/