Një vjedhje në një dyqan rrobash në Kavajë është zbardhur nga Policia, ndërsa një 46-vjeçar është arrestuar dhe bashkëpunëtori i tij i dyshuar është shpallur në kërkim.
Ngjarja u denoncua më 8 tetor 2026 nga menaxherja e dyqanit, e cila njoftoi se gjatë natës persona të paidentifikuar kishin vjedhur kasafortën, ku ndodheshin rreth 600 mijë lekë, si dhe gjashtë telefona celularë.
Pas veprimeve hetimore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë identifikuan personat e dyshuar për përfshirjen në vjedhje.
Në vijim të operacionit, u arrestua shtetasi M. L., 46 vjeç, banues në Kavajë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi kasafortën e vjedhur, brenda së cilës ndodhej edhe një sasi parash.
Ndërkohë, është identifikuar edhe bashkëpunëtori i dyshuar, shtetasi A. S., 30 vjeç, gjithashtu banues në Kavajë, i cili është shpallur në kërkim. Policia vijon punën për kapjen e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Vjedhja”.
/rtsh.al/