Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi platformën online “Pasqyra e Çmimeve”, një nismë që synon të ndihmojë konsumatorët të krahasojnë çmimet e produkteve dhe të identifikojnë pikat e shitjes ku ato ofrohen më lirë.
Gjatë prezantimit, Ibrahimaj u shpreh se nisma vjen pas një analize të dinamikës së çmimeve në vitet e fundit dhe të praktikave të ndjekura nga vende të tjera, me synimin për të nxitur konkurrencën dhe për të ndikuar në uljen e çmimeve.
“Prej më shumë se një muaji jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht për një nismë e cila nisi si një nevojë bazuar në dinami9kat e viteve të fundit , në çmimet të cilat kanë pasur një rritje të vazhdueshme pas një analize të bërë kemi çfarë vende të tjera në kushtet të tjera kanë bërë dhe të kenë një influencë pozotive për rritjen e konkurrencës dhe për reduktimin e çmimeve. Nisi nga kjo ide nga një takim që kemi me linjat kryesore të supermarketeve dhe më pas u zhvillu. Sot prezantojmë platformën onlinë ‘pasqyra e çmimeve” e cila do të ndihmojë çdo konsumator që të mund të shoh se ku janë çmimet më të lira dhe ku të shkoj dhe të drejtohet për të marrë ato produkte që merr zakonisht”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, platforma u zhvillua pas një takimi me përfaqësuesit e rrjeteve kryesore të supermarketeve dhe do t’u mundësojë qytetarëve të informohen për çmimet përpara se të zgjedhin se ku do të kryejnë blerjet.
Në platformë janë listuar 238 artikuj, të ndarë në 13 kategori të ndryshme produktesh. Çmimet janë të verifikueshme në 155 pika shitjeje në të gjithë territorin e vendit.
“janë 238 artikuj të cilët janë të listuar në platformës që sot lancojmë për 13 kategori të ndryshme produktesh ndërkohë që këto çmime janë të verifikueshme në 155 pika shitje në të gjithë territorin e vendit. Mendojmë që kjo është një nismë që do ti shërbejë çdo qytetari i cili nga telefoni nga kolltuku mund të shoh dhe të verifikoj se cilat janë çmimet më të lira”, tha ajo.
/rtsh.al/