Futbollisti i Malishevës, Xhemal Ibishi e ka fituar epitetin e më të mirit për xhiron e fundit në Superligën e Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka bërë të ditur të hënën se Ibishi është zgjedhur futbollisti më i mirë për xhiron e tetë, duke u shpallur “Ylli i Javës”.
Vlerësimin për lojtarin më të mirë, si zakonisht e ka bërë Komisioni i Veteranëve të futbollit, i cili ka konstatuar se Ibishi kishte paraqitjen më të mirë.
Në fakt, paraqitja e Ibishit është vlerësuar lart, pasi ai ishte më i merituari për triumfin e Malishevës në udhëtim te Drita.
Malisheva fitoi 1:0, falë golit të Ibishit dhe tani prinë në tabelë me 19 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Prishtina në pozitën e dytë.
Për Ibishin, kjo është hera e parë këtë sezon që shpallet lojtari më i mirë i xhiros, duke e fituar çmimin “Ylli i Javës”.