Jo vetëm automjetet dhe drejtuesit e tyre janë në sitën e rrugorëve. Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur 78 masa administrative ndaj këmbësorëve që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor gjatë 24 orëve të fundit.
Kontrollet janë përqendruar në evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve nga këmbësorët, me synim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.
Policia u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri gjatë lëvizjes, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të përdorin vendkalimet e përcaktuara dhe të shmangin kalimin e rrugës në vende të palejuara.
Shërbimet e Policisë Rrugore bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë për të rritur sigurinë dhe për të mbrojtur jetën e të gjithë përdoruesve të rrugës.