Tuesday, 13. October 2026
Sport

Agjencia për Media dhe Informim përgënjeshtron lajmet e rreme: Asnjë student nuk është në intubim

GS 13/10/2026 2 Min. Lesezeit

Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka reaguar zyrtarisht duke përgënjeshtruar pretendimet që po qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me pasojat shëndetësore të protestës së zhvilluar në kryeqytet.

Sipas institucionit, lajmet e publikuara në disa faqe në Instagram dhe platforma të tjera, ku pretendohet se dy studentë ndodhen në gjendje intubimi, janë tërësisht të pavërteta dhe përbëjnë dezinformim.

“Informacioni që po qarkullon në disa faqe në Instagram dhe platforma të tjera, sipas të cilit dy studentë ndodhen në intubim, është i pavërtetë! Mos bini pre e dezinformimit!”, thuhet në njoftim.

Përmes një njoftimi për mediat dhe publikun, agjencia u bën thirrje qytetarëve të shmangin shpërndarjen e njoftimeve të pakonfirmuara, të cilat nxisin shqetësim të panevojshëm dhe panik te publiku e familjarët e të lënduarve.

Struktura shtetërore thekson rëndësinë e verifikimit të burimeve përpara se të shpërndahet çdo pretendim që lidhet me ngjarje me ndjeshmëri të lartë publike.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të mos besojnë dhe të mos shpërndajnë informacione të pavërtetuara, të cilat krijojnë panik dhe shqetësim të panevojshëm te publiku dhe familjarët.”, thuhet në njoftim.

Informimi për shëndetin e të lënduarve, vetëm nga Ministria e Shëndetësisë

Në përmbyllje të reagimit, Agjencia për Media dhe Informim sqaron se autoriteti i vetëm përgjegjës për dhënien e të dhënave mbi ecurinë shëndetësore të të gjithë personave të dëmtuar gjatë protestës mbetet Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Qytetarët udhëzohen t’i referohen vetëm kanaleve zyrtare për çdo të dhënë që lidhet me të lënduarit, si nga radhët e protestuesve ashtu edhe nga ato të Policisë së Shtetit.

“Informacioni zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, qofshin protestues apo punonjës të Policisë së Shtetit, përcillet nga institucioni kompetent, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale.”, mbyllet njoftimi.

/rtsh.al/

 

Teilen: