Analisti Lorenc Vangjeli, i ftuar në emisionin “Trialog”, deklaroi se prej muajsh ka paralajmëruar se tetori mund të shndërrohet në një periudhë tensionesh dhe përshkallëzimi protestash në Tiranë, duke theksuar se ekzistojnë shenja që tregojnë për një situatë potencialisht të rrezikshme.
Sipas tij, politika është arti i parashikimit dhe zhvillimet e fundit nuk kanë ardhur papritur.
Vangjeli tha se ka vërejtur prej kohësh një sërë sinjalesh që, të marra së bashku, krijojnë panoramën e një situate që mund të kalojë nga ajo që ai e cilësonte si “kaos i kontrolluar” në një kaos pa kontroll.
Ai u shpreh se ndihet keq që ngjarjet po zhvillohen pikërisht sipas këtij parashikimi, duke shtuar se politika duhej t’u kishte dalë përpara zhvillimeve.
Sipas tij, paaftësia e politikës për të paraprirë ngjarjet ka bërë që ajo të diktohet nga rrjedha e tyre, ndërsa situata ka arritur në një pikë ku realiteti po tejkalon edhe vetë imagjinatën politike.
Vangjeli kujtoi se protestat e qershorit, sipas tij, ishin paralajmëruar prej kohësh përmes informacionesh të ardhura nga burime të ndryshme. Ai tha se edhe pse lëvizja protestuese dukej sikur ishte zbehur gjatë verës, problemet që e ushqyen atë mbetën të pazgjidhura.
“Nuk u trajtua shkaku, por u tentua të merrej me pasojën”, tha ai, duke argumentuar se masat e marra pas protestave nuk adresuan arsyet reale të pakënaqësisë.
Analisti shtoi se prej kohësh kanë qarkulluar informacione që e lidhnin muajin tetor me një valë të re protestash, veçanërisht me nisjen e vitit universitar dhe mundësinë e përfshirjes së studentëve në mobilizime. Sipas tij, në qarqe të ndryshme është diskutuar edhe mundësia e krijimit të një sërë vatrash greve urie në Tiranë, ku studentët mund të luajnë një rol të rëndësishëm.
Duke komentuar zhvillimet e fundit, Vangjeli u ndal te protesta e organizuar pranë Ministrisë së Arsimit. Ai tha se grumbullimi fillestar ishte relativisht i qetë, por brenda pak minutash situata ndryshoi në mënyrë të papritur.
“Një shkëndijë që dukej sikur lindi nga hiçi e përshkallëzoi protestën. Fitili që kishte nisur të digjej në qershor, vazhdoi gjatë verës me ritëm më të ngadaltë dhe duket se tashmë ka arritur në një masë shpërthyese”, deklaroi ai.
Vangjeli tha se ajo që e shqetëson më shumë është lehtësia me të cilën tensionet mund të përshkallëzohen dhe të marrin një drejtim të paparashikueshëm e të vështirë për t’u kontrolluar.
“Sërish në këtë studio, në sezonin e kaluar, kemi deklaruar se protestat e qershorit ishin paralajmëruar nga së paku pesë burime të ndryshme, në pesë kombësi të ndryshme dhe në pesë gjuhë të ndryshme. Është thënë që në janar se në qershor në Tiranë do të kishte trazira, në një kohë kur në horizont nuk dukej asgjë e tillë”, u shpreh ai.
Sipas tij, përballimi i kësaj situate nuk mund të mbështetet vetëm te ndërhyrja policore, pasi problemi është thellësisht politik. Ai theksoi se është përgjegjësi e mazhorancës dhe e opozitës të ndërhyjnë me dialog dhe zgjidhje politike përpara se situata të përkeqësohet më tej.
Në përfundim, analisti paralajmëroi se nëse politika vijon të heshtë dhe të mos adresojë shkaqet e pakënaqësisë, vendi mund të përballet me një periudhë shumë më të vështirë.
“Parashikoj një dimër shumë të zymtë në Tiranë. Nëse politika nuk flet dhe nuk vepron, fatura mund të jetë shumë më e rëndë se sa duket sot”, u shpreh Vangjeli.
/rtsh.al/