Wednesday, 14. October 2026
Sport

DPSHTRR hap ankandin online për targat e personalizuara, 6 kombinime në garë

GS 14/10/2026 3 Min. Lesezeit

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka hapur një ankand elektronik për targat e personalizuara, ku qytetarët do të kenë mundësi të konkurrojnë për gjashtë kombinime të veçanta. Regjistrimi për pjesëmarrje do të jetë i hapur deri më 26 tetor 2026, në orën 23:59. Risia është se për herë të parë ankandi zhvillohet tërësisht online, përmes një platforme të posaçme, me synimin për të garantuar një proces transparent dhe të digjitalizuar.

Mine Bushi, përgjegjëse e sektorit të regjistrimit të targave në DPSHTRR, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, shpjegoi mënyrën e funksionimit të platformës dhe procedurat që duhet të ndjekin të interesuarit.

“Ky është një ankand i ri për DPSHTRR-në, i cili zhvillohet tërësisht në një platformë online. Një nga synimet dhe hapat e radhës për t’i çuar këto shërbime drejt digjitalizimit është krijimi i një platforme ku i gjithë procesi do të kryhet në mënyrë transparente dhe të digjitalizuar”, u shpreh Bushi.

Në ankandin elektronik janë përzgjedhur gjashtë targa me kombinime të veçanta, të cilat përfshijnë “QUEEN”, “KOSOVA”, “7777”, “MONEY”, “Q88Q” dhe “LONDON”. Sipas Bushit, këto kombinime janë përzgjedhur në bazë të interesit të qytetarëve dhe rregullave përkatëse të ankandit të targave të personalizuara, një shërbim që DPSHTRR ofron prej vitesh.

Një nga risitë e këtij ankandi është targa me katër shifra identike, “7777”, e cila, sipas përfaqësueses së DPSHTRR-së, ofrohet për herë të parë në Shqipëri si pjesë e këtij shërbimi.

Si mund të marrin pjesë qytetarët?Në ankand mund të marrin pjesë qytetarë, persona fizikë dhe juridikë, duke u regjistruar përmes platformës së posaçme, e cila gjendet në faqen zyrtare të DPSHTRR-së. Fillimisht, pjesëmarrësit duhet të plotësojnë procedurën e regjistrimit dhe të dhënat e kërkuara, duke treguar kujdes të veçantë në vendosjen e adresës së emailit, përmes së cilës do të marrin njoftimet dhe informacionin e nevojshëm.

Pas përfundimit të regjistrimit dhe verifikimeve përkatëse, pjesëmarrësit mund të paraqesin ofertat e tyre për një ose disa nga targat e përfshira në ankand. Ofertat mund të vendosen në mënyrë manuale ose automatike, duke i dhënë mundësi secilit pjesëmarrës të përcaktojë shumën që dëshiron të ofrojë, sipas mundësive dhe preferencave të tij. Afati i fundit për regjistrim është 26 tetor 2026, në orën 23:59, ndërsa përmes këtij procesi gjashtë targa të personalizuara do të kalojnë te ofertuesit fitues, pas përfundimit të ankandit.

/rtsh.al/

Teilen: