Wednesday, 14. October 2026
Sport

Llapi nuk fiton as me Feronikelin, pa gola në Drenas

GS 14/10/2026 2 Min. Lesezeit

Skuadra e Llapit nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë kundër Feronikelit ’74 edhe pse ishte me një lojtar më shumë në fushë për gati 60-të minuta.

Feronikeli ’74 prej minutës së 36-të mbeti pa Fatmir Rexhajn që u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e luajtur të mërkurën në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës.

Dueli i luajtur në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, u mbyll pa gola dhe kështu Llapi regjistroi barazimin e parë këtë sezon, ku e ka edhe një fitore karshi shtatë humbjeve.

Në anën tjetër, Feronikeli ’74 regjistroi barazimin e dytë rresht dhe aktualisht ka tubuar 8 pikë, katër më shumë se Llapi që mbetet i parafundit në tabelë.

Ndeshja e luajtur në Drenas në përgjithësi ishte e barabartë, me të dyja skuadrat që tentonin ta ndëshkonin njëra tjetrën por pa ndonjë rast konkret.

Në fakt, Llapi në minutën e dhjetë arriti të shënojë gol me anë të Aris Sorensenit por që u anulua pas rishikimit të VAR-it për shkak se mbrojtësi Granit Jaha e kishte prekur topin me dorë.

Në xhiron e ardhshme, Llapi e pret skuadrën e Dritës kurse Feronikeli ’74 luan në udhëtim te Gjilani.

Teilen: