Wednesday, 14. October 2026
Sport

GJKKO shkresë KLGJ-së dhe Ministrisë së Drejtësisë: Bojkoti i avokatëve po paralizon gjyqësorin

GS 14/10/2026 2 Min. Lesezeit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit të Shqipërisë dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, ku parashtron situatën kritike të krijuar nga bojkoti kolektiv i avokatëve.

Në shkresën e saj Gjykata e Posaçme bën me dije se nga data 1 shtator 2026 e deri më sot, si pasojë e bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, nga 462 seanca gjyqësore të planifikuara pranë kësaj Gjykate, janë zhvilluar vetëm 24 prej tyre.  Nga ana tjetër, shkaku i deklaruar nga organet e avokatisë për ndërprerjen e pjesëmarrjes në seanca është neni 76 i rregullores së re të GJKKO-së i cili ndalon mbajtjen dhe përdorimin e aparateve celulare gjatë seancave gjyqësore.

Gjykata e Posaçme sqaron se kjo masë ka karakter organizativ dhe sigurie, si dhe zbatohet njëlloj ndaj të gjithë pjesëmarrësve – përfshirë vetë gjyqtarët, prokurorët, palët, median dhe publikun.

GJKKO nënvizon se godina është objekt me rëndësi të veçantë e ruajtur nga Garda e Republikës, ku gjykohen dosje të krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë, e ku në të njëjtën sallë ndodhen njëkohësisht drejtues organizatash kriminale, dëshmitarë të mbrojtur dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë.   Bojkoti pa afat dhe goditja mbi masat e sigurimit.

Bojkoti i shpallur fillimisht më 8 shtator 2026 u përshkallëzua me vendimin e 23 shtatorit të Dhomës së Avokatisë, duke u shtrirë pa afat edhe mbi seancat e vlerësimit të arrestit dhe masave të sigurimit personal.

Gjykata e Posaçme thekson se ky përshkallëzim prek drejtpërdrejt lirinë personale dhe afatet kushtetuese të paraburgimit.

Sipas dokumentit, deri në momentin e hartimit të shkresës, trupat gjykues kanë dhënë 51 urdhra gjobitjeje ndaj mbrojtësve (në vlera nga 5 000 deri në 100 000 lekë) për mungesa të pajustifikuara.

Shkrese Drejtuar KLGJ-se 14102026

/rtsh.al/

Teilen: