Friday, 16. October 2026
Sport

Protesta në Korçë, arrestohen dy persona dhe procedohen penalisht 23 të tjerë, 15 prej tyre të mitur

GS 16/10/2026 1 Min. Lesezeit

Dy persona janë arrestuar dhe 23 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në qytetin e Korçës.

Sipas Policisë, gjatë tubimit, dhjetëra pjesëmarrës, disa prej tyre të maskuar, kanë hedhur gurë, pllaka guri dhe sende të forta metalike drejt institucioneve shtetërore dhe pronave publike, duke shkaktuar dëme materiale.

Si pasojë e incidenteve, janë dëmtuar godinat e Bashkisë Korçë, Drejtorisë Arsimore, universitetit “Fan S. Noli” dhe gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Dëmtime janë shkaktuar edhe në kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore.

Gjatë tubimit, janë arrestuar në flagrancë F. L., 21 vjeç, banues në Voskop, dhe O. K., 19 vjeç, banues në Bilisht.

Ndërkohë, 23 persona të tjerë janë proceduar penalisht, 15 prej të cilëve të mitur.

Gjatë ditës së djeshme nxënësit dhe studentët në Korçë u ngritën në protesta në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Tiranë, protesta që janë shoqëruar me tensione dhe dëmtime të institucioneve publike dhe bizneseve private.

/rtsh.al/

Teilen: