Superliga e Kosovës në basketboll, do të vazhdojë me xhiron e pestë që do të zhvillohet këtë vikend, ku do të ketë ndeshje interesante.
Të shtunën dhe të dielën, do të zhvillohen nga dy ndeshje me të cilat do të karakterizohet dhe mbyllet kjo xhiro e Superligës.
Ndeshja hapëse e xhiros së pestë, është ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Golden Eagle Yllit, e cila luhet në Gjakovë të shtunën nga ora 17:00.
Vëllaznimi është i parafundit në tabelë me 5 pikë, një më pak se Ylli që zë vendin e pestë dhe është në seri prej dy fitoreve rresht.
Të shtunën, por nga ora 19:30, do të jetë përballja ndërmjet Pejës dhe Rahovecit 029, që do të zhvillohet në palestrën “Mizahir Isma”.
Rahoveci 029 është i fundit në tabelë dhe ekipi i vetëm që ende nuk ka fitore këtë sezon në Superligë kurse Peja synon të rikthehet te fitorja pas humbjeve që pësoi në dy xhirot e shkuara.
Dy ndeshjet tjera do të luhen të dielën, ku nga ora 17:30 do të jetë dueli ndërmjet Borës dhe Trepçës kurse prej orës 19:30, Sigal Prishtina e pret në kryeqytet Bashkimin, ekipin e vetëm që ende nuk di për humbje këtë sezon.