Zyra e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar përmes një deklarate duke shprehur shqetësim për dhunën e fundit dhe tensionet në rritje rreth protestave në Tiranë.
Reagimi bën të ditur riafirmimin e të drejtave themelore për tubim paqësor, lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, si dhe rëndësinë e mbrojtjes së sigurisë dhe dinjitetit të të gjithëve, në përputhje me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe kuadrin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.
Në të njëjtën kohë, deklarata nënvizon atë që e ka quajtur “nevojën për përmbajtje dhe proporcionalitet në zbatimin e ligjit, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe respektimin e pronës publike dhe private”.
Thirrja e organizatës së Kombeve të bashkuara u drejtohet të gjithë të interesuarve të ndalojnë dhunën, të ushtrojnë përmbajtje, të kontribuojnë në uljen e tensioneve dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, duke mbështetur vlerat e paqes, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe respektit për sundimin e ligjit.
Gazetare: Entela Kumnino
/rtsh.al/