Në adresën e Komunës së Prishtinës të enjten arriti një letër nga Athina.
E përmbajtja e saj, nuk ishte aspak e mirë.
Përmes saj, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, e paralajmëroi kryeqytetin për vonesat dhe mospërmbushjen e detyrimeve në përgatitjen për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
E kjo letër, sipas vet të parit të Prishtinës, Përparim Rama, duhet të merret seriozisht.
“Kjo nuk është letra e pare është vazhdimësi e paralajmërimeve që kanë nisur muaj më parë dhe që, fatkeqësisht, nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga qeveria. ICMG konstaton se letra 21 shtatorit ka mbetur pa përgjigje. Garancia bankare ose e sigurimit e kërkuar që nga janari nuk është dorëzuar dhe detyrimet financiare që është dashur të përmbushen në qershor nuk janë paguar. Për më tepër, afatet për funksionalizimin e strukturave organizative, përgatitjen e masterplanit, buxhetit dhe proceseve të tjera janë shkelur vazhdimisht”, deklaroi Përparim Rama.
Rama tha se pavarësisht kësaj, Lojërat Mesdhetare në Prishtinë nuk kanë dështuar.
“Kryeqyteti ka përmbushur një sërë angazhimesh konkrete. Së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës, kemi miratuar statusin e komitetit organizativ më 8 qershor dhe kemi përfunduar procesin e regjistrimit të organizatës më 24 qershor. Kemi propozuar pesë porte urbane, të cilat janë miratuar nga ICMG-ja më 29 qershor. Po ashtu, kemi paraqitur për votim në Kuvendin e kryeqytetit propozimet për lokacionet sportive. Por sot, kemi një paralajmërim që nuk mundemi me e injoru. ICMG-ja ka vendosur afate të reja për përmbushjen e detyrimeve duke fillu nga 30 tetori”, tha Rama.
Rama tregoi pikat në të cilat nuk kryeqyteti nuk po e gjen gjuhën e përbashkët me ekzekutivin.
“Edhe ta bëj edhe një gjë shumë të qartë: dy vjet, dy vjet i kemi humbur sepse kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që emri i lojërave mesdhetare të ndryshohet nga Prishtina 2030 në Kosova 2030. Natyrisht, kjo kërkesë nuk është aprovuar, sepse në të gjithë botën lojërat mesdhetare mbajnë emrin e qytetit. Absurditeti tjetër ka qenë kërkesa e tij, apo insistimi i tij, që kryeministri të jetë kryetar i bordit drejtues, një praktikë e paparë faktikisht askund tjetër”, pohoi ai.
Por, nga Qeveria e Kosovës, thonë se angazhimi i tyre për këtë ngjarje, mbetet i plot dhe i palëkundur.
“Ne po vazhdojmë punën me përgjegjësi, seriozitet dhe dedikim, në bashkëpunim me ICMG-në, por edhe të gjithë partnerët dhe institucionet përkatëse, për të siguruar që çdo punë, çdo proces dhe çdo obligim që lidhet me organizimin e Lojërave Mesdhetare të realizohet në përputhje me standardet dhe afatet e përcaktuara. Vështirësitë, problemet dhe kompleksiteti i natyrshëm i projekteve të tilla po trajtohen me kujdes dhe vendosmëri, pa zhurmë, pa britma, pa ankesa”, tha Blerim Gashani, Ministër i Sportit.
Ndryshe, Prishtina është përzgjedhur si qyteti mikpritës i edicionit të ardhshëm të Lojërave Mesdhetare pas atyre të vitit 2026 në Taranto, Itali.