Nico Williams vazhdon të jetë një nga figurat më besnike në futbollin modern, pasi i është përkushtuar të ardhmes afatgjatë tek Athletic Clubi, pavarësisht interesimit të madh nga gjigantët më të mëdhenj të Evropës.
Përfaqësuesi i futbollistit spanjoll ka zbuluar tani rrethanat që e shtynë anësorin t’i refuzonte ofertat joshëse nga Premierliga dhe La Liga.
Agjenti i Williamsit ka konfirmuar publikisht se reprezentuesi i Spanjës i kishte refuzuar përfundimisht ofertat nga Arsenali dhe Liverpooli dy vjet më parë.
Anësori 24-vjeçar mbetet një nga shtyllat kryesore të projektit të Athletic Clubit, pasi e ka vulosur përkushtimin ndaj klubit nga “San Mames” duke nënshkruar një zgjatje të jashtëzakonshme të kontratës për 10 vjet, e cila skadon në vitin 2035.
Ky vendim erdhi në një kohë kur Williams konsiderohej një nga talentet më të kërkuara në kontinent, pas një periudhe të mbushur me trofe si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren.
Sulmuesi shpërthyes ishte në qendër të spekulimeve të shumta gjatë verës së vitit 2024, menjëherë pas rolit të tij vendimtar në triumfin e Spanjës në Kampionatin Evropian.
Williams shënoi në finalen kundër Anglisë, duke i shtuar këtij suksesi edhe triumfin në Kupën e Mbretit me Athleticin.
Felix Tainta, përfaqësuesi i lojtarit, foli për përmasat e interesimit gjatë një paraqitjeje të fundit në podkastin “Los Fulanos”, duke vënë në dukje se në garën për nënshkrimin e klientit të tij ishin përfshirë pothuajse të gjithë gjigantët e futbollit evropian.
“Të gjithë e dimë për interesimin e Barcelonës në verën e vitit 2024, pas Kampionatit Evropian”, shpjegoi Tainta gjatë intervistës.
“Barcelona, Arsenali, Bayerni (i Munichut), Liverpooli, Paris Saint-Germaini… Mund t’i përmend të gjithë. Të gjithë e dëshironin Nicon dhe nuk është e lehtë që një lojtar t’i refuzojë të gjitha këto klube. Më pas, biseduam me Barcelonën. Athletici e dinte këtë, sepse i mbaja të informuar gjatë gjithë kohës për situatën, edhe pse ata ishin të zemëruar me Barcelonën për mënyrën se si po vepronte. Pas kësaj, i nisa bisedimet”, tha ai.
Ndonëse Arsenali dhe Liverpooli ishin pjesëmarrës të rëndësishëm në garë, Barcelona ishte klubi që këmbënguli më së shumti për ta siguruar anësorin.
Klubi katalunas dëshironte me çdo kusht ta bashkonte Williamsin me bashkëlojtarin e tij nga kombëtarja, Lamine Yamal, por transferimi dështoi përfundimisht për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme financiare të Blaugranëve.
Tainta zbuloi se shqetësimi kryesor i kampit të Williamsit ishte pamundësia e klubit për të dhënë garanci të qarta lidhur me regjistrimin e tij në La Liga, për shkak të faturës së lartë të pagave.
Tainta theksoi se një lojtar i kalibrit të Williamsit nuk mund ta përballonte të qëndronte në tribunë për shkak të gabimeve në regjistrim.
“Erdhi një moment gjatë negociatave, në këtë situatë, kur Nico nuk mund të mbetej pa minuta në fushë”, vazhdoi Tainta.
“Nico është një veturë e Formula 1. Nëse vij në shtëpinë tënde, nuk mund ta marr përsipër problemin tënd. Dhe këtë ia bëra të qartë Barcelonës”, e mbylli ai.