Saturday, 17. October 2026
Sport

Protesta, Hita: 167 të arrestuar, dëmtohen 132 efektivë. Pezullohen 7 punonjës policie

GS 17/10/2026 3 Min. Lesezeit

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka bërë një bilanc të situatës pas protestave në Tiranë. Hita bëri me dije se 167 shtetas janë arrestuar, ndërsa 388 të tjerë janë proceduar penalisht. Gjithashtu, janë pezulluar 7 punonjës policie, ndaj të cilëve ka nisur hetimi disiplinor për dhunë e ushtruar ndaj protestuesve.

Sipas Hitës, gjatë protestave janë dëmtuar institucione publike, prona publike dhe private, ndërsa janë regjistruar edhe sulme ndaj forcave të rendit. Ai theksoi se Policia u ka bërë vazhdimisht thirrje protestuesve të distancohen nga veprimet e dhunshme.

“Janë arrestuar 167 shtetas dhe janë proceduar 388 të tjerë. Janë pezulluar edhe 7 punonjës policie, ndaj të cilëve ka nisur menjëherë hetimi disiplinor. Dua ti siguroj qytetarët se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde. Punonjësit e policisë janë instruktuar vazhdimisht që në çdo rast ndërhyrje të zbatojnë gjithë procedurat standarde”, tha Hita.

Hita u shpreh se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde, duke garantuar se efektivët janë instruktuar vazhdimisht për zbatimin e tyre gjatë ndërhyrjeve.

Hita sqaroi gjithashtu se përdorimi i mjeteve policore bëhet në përputhje me kuadrin ligjor dhe në varësi të përshkallëzimit të situatës. Sipas tij, gjatë protestave janë sekuestruar bomba molotov, llastiqe dhe sende të tjera, ndërsa 132 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar.

“Përdorimi i mjeteve të policisë bëhet në përputhje me kuadrin ligjor dhe me përshkallëzimin e situatës. Janë sekuestruar bomba molotov, llastiqe dhe sende të tjera. Janë dëmtuar 132 punonjës policie. Dua të bëj me dije se në rrjetet sociale, kryesisht në disa grupe, po bëhen thirrje të vazhdueshme për ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë. Këto thirrje janë për të sulmuar efektivët me mjete djegëse e të shpërthimit në masë.

Përballë kësaj situate Policia ka marrë gjithë masat për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë. Qytetarët të distancohen nga personat e dhunshëm, të cilët nuk përfaqësojnë studentët dhe aspiratat e tyre. Prindërit dhe fëmijët të mos lejojnë të miturit në protesta. Dua t’i siguroj qytetarët se asnjë punonjës policie nuk ka marrë urdhër për të vepruar në kundërshtim me procedurat standarde. Punonjësit e policisë janë instruktuar vazhdimisht që në çdo rast ndërhyrjeje të zbatojnë gjithë procedurat standarde”, tha ai.

/rtsh.al/

Teilen: