Saturday, 17. October 2026
Sport

Bradariq flet për herë të parë pasi e braktisi Malishevën: Situata nuk ishte e përshtatshme, vazhdimisht kishte obligime të papërmbushura – më erdhi keq për lojtarët

GS 17/10/2026 2 Min. Lesezeit

Thomas Brdariq e nisi mirë aventurën e tij në Superligën e Kosovës me Malishevën, por qëndrimi i tij në klub zgjati vetëm katër muaj.

Trajneri vendosi të largohej nga skuadra kosovare për të vazhduar karrierën në Arabinë Saudite, ku mori drejtimin e Al-Bukiryah, klub që garon në kategorinë e dytë të futbollit saudit, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për “Transfermarkt”, Brdariq ka zbuluar arsyet që e shtynë të merrte këtë vendim, duke përmendur obligimet e papërmbushura nga ana e klubit.

“Situata në tërësi nuk ishte më e përshtatshme. Vazhdimisht kishte obligime të papërmbushura. Në fund, më është dashur të marr një vendim për veten dhe, mbi të gjitha, për familjen time”. Natyrisht, ky ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë për mua. Jam trajner profesionist dhe nga ana sportive gjithçka po shkonte shumë mirë. Më erdhi veçanërisht keq për lojtarët, sepse kishim bashkëpunuar vërtet shumë mirë”, u shpreh Brdariq.

Pavarësisht rezultateve pozitive në aspektin sportiv, trajneri gjerman vendosi t’i japë fund aventurës së tij në Kosovë, duke vënë në plan të parë rrethanat jashtë fushës.

Ndërkohë, Malisheva e ka gjetur tashmë pasuesin e tij. Skuadra po drejtohet nga ish-futbollisti Kastriot Rexha./lajmi.net/

Teilen: