Sunday, 18. October 2026
Sport

Tirana në kaos, përshkallëzohet protesta. Digjet Banka e Shqipërisë, Gjykata e Lartë, makina dhe biznese. Molotovë e gaz lotsjellës mes protestuesve e policisë

GS 17/10/2026 3 Min. Lesezeit

Protesta e ditës së pestë në Tiranë është shoqëruar me orë të tëra tensionesh dhe përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, ndërsa situata është përshkallëzuar nga Ministria e Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zona të tjera të kryeqytetit.

Tubimi nisi në orën 11:00 para Ministrisë së Arsimit, ku pas disa orësh protestë situata u tensionua me djegien e koshave të mbeturinave, shkuljen e kangjellave të trotuarit dhe hedhjen e gurëve e sendeve të forta në drejtim të efektivëve. Policia ndërhyri me autobotë uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku përplasjet vijuan me hedhjen e molotovëve, gurëve dhe mjeteve piroteknike në drejtim të forcave të rendit. Gjatë tensioneve, një automjeti iu vu flaka, ndërsa në terren mbërritën shërbimet zjarrfikëse.

Pas disa orësh përplasjesh, policia nisi aksionin për largimin e protestuesve nga zona para Kryeministrisë. Në operacion u angazhuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivë të Operacionales, të cilët përdorën katër autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës dhe lirimin e bulevardit. Gjatë ndërhyrjes nisën edhe shoqërimet e para të personave.

  • Pas zhvendosjes së protestuesve nga bulevardi, incidentet vijuan në zona të tjera të Tiranës. Protestuesit hodhën molotovë drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke i vënë flakën hyrjes së institucionit. Zjarre u raportuan gjithashtu në ambientet e Gjykatës së Lartë, ndërsa u dogjën një biznes dhe automjete në zonën pranë saj.

    Më pas të rinjtë u shpërndanë në rrugët e kryeqytetit, ku protestuesit dëmtuan edhe kioska e tabela sinjalistike, u vunë flakën kazanëve të mbeturinave duke shkaktuar kaos në Tiranë. Si pasojë e incidenteve, në disa zona u regjistruan dëme materiale, ndërsa forcat e policisë vijuan ndërhyrjet për menaxhimin e situatës.

    Në terren para Kryeministrisë ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndoqi nga afër zhvillimet gjatë përplasjeve dhe operacionit për shpërndarjen e protestuesve. Protesta e sotme vjen pas pesë ditësh tubimesh në Tiranë, ndërsa përshkallëzimi i saj është shoqëruar me dëme në pronën publike dhe private, të lënduar dhe ndërhyrje të përsëritura të forcave të rendit. Nga protestat e sotme 34 persona janë lënduar, mes tyre 21 efektivë policie dhe 13 protestues.

     

     

    Gurë, molotovë e gaz lotsjellës, çfarë ndodhi gjatë përshkallëzimit të protestës para Kryeministrisë

  • Teilen: