Ministria e Shëndetësisë ka publikuar përditësimin mbi situatën e të lënduarve gjatë protestës së zhvilluar të së shtunës, si dhe bilancin e përgjithshëm të pesë ditëve të fundit.
Sipas informacionit të dhënë nga autoritetet shëndetësore, në protestën e së shtunës janë trajtuar gjithsej 65 raste të lënduarish.
Prej tyre, 37 janë punonjës të forcave të rendit, 24 janë protestues, ndërsa 4 janë kalimtarë të rastësishëm, mes të cilëve edhe një i mitur.
Nga këta, 12 persona ndodhen aktualisht të shtruar në Spitalin Universitar të Tiranës, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Gjatë pesë ditëve të fundit numri total i të lënduarve ka arritur në 272 persona. Nga këta, 169 janë punonjës të Policisë së Shtetit, 82 janë protestues dhe 21 janë kalimtarë që kanë pësuar dëmtime gjatë zhvillimit të ngjarjeve.
/rtsh.al/