Sunday, 18. October 2026
Sport

Ndeshja kundër Lazios, Zhegrova merr lajmin e mirë

GS 18/10/2026 2 Min. Lesezeit

Edon Zhegrova mund ta marrë një mundësi të rëndësishme te Juventusi, pasi po shton gjasat për ta nisur nga minuta e parë përballjen ndaj Lazios në Serie A, që zhvillohet të dielën nga ora 20:45

Forma e mirë në paraqitjet e fundit dhe fjalët pozitive të trajnerit Luciano Spalletti kanë rritur pritshmëritë që sulmuesi kosovar të përfitojë më shumë minuta në vazhdim.

Sipas mediumit italian “Tuttosport”, Zhegrova është shndërruar në një kandidat serioz për formacionin titullar, pasi në fillim të shtatorit konsiderohej si një nga alternativat e fundit në repartin ofensiv të bardhezinjve.

Tuttosport: Edon Zhegrova fiton “zemrën” e Spallettit, në mesin e katër yjeve që po fiton rëndësi në projektin e Juventusit telegrafi.com

Situata e 27-vjeçarit ka ndryshuar gradualisht. Ai u aktivizua nga banka rezervë në ndeshjen ndaj Sassuolos, ndërsa më pas la gjurmë edhe kundër Atalantas, kur asistoi në golin e Bremerit.

Një faktor që mund t’i ndihmojë gjasat e Zhegrovës është edhe lodhja e Francisco Conceiçãos, i cili shpenzoi shumë energji në ndeshjen ndaj Celta Vigos.

Kjo situatë po e shtyn Spallettin ta shqyrtojë seriozisht mundësinë që kosovari të marrë një vend në formacionin bazë ndaj Lazios.

Edhe deklaratat e fundit të Spallettit kanë qenë inkurajuese për Zhegrovën. Trajneri italian ka vlerësuar paraqitjet e tij dhe ka lënë të kuptohet se anësori kosovar mund të fitojë më shumë hapësirë në skuadër.

Përballja me Lazion mund të jetë një hap i rëndësishëm për futbollistin e Kosovës, i cili synon të fitojë besimin e plotë të trajnerit dhe të ketë rol më të madh te bardhezinjtë. Megjithatë, vendimi përfundimtar për formacionin do të jetë në duart e Spallettit.

Teilen: