Situata e sigurisë në kryeqytet vijon të jetë e rënduar, ndërsa forcat speciale RENEA kanë zbarkuar sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ashtu si një natë më parë, me fokus kryesor ruajtjen e godinës së Kryeministrisë dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të përplasjeve.
Prania e forcave speciale erdhi në një moment mjaft kritik, pas përplasjeve të ashpra mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, ku u përdorën mjete molotov e gurë nga protestuesit, si dhe ujë me presion e gaz lotsjellës nga efektivët e rendit. Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, për momentin, është zbrazur nga protestuesit dhe në terren ndodhen vetëm trupat policore, ndërsa grupet e protestuesve janë shpërndarë në disa pika të tjera të Tiranës, përfshirë Sheshin “Skënderbej”, Rrugën e Kavajës dhe zonën e Stacionit të Trenit.
Gjatë rrjedhës së tensioneve, akte të rënda dhune janë regjistruar ndaj disa godinave të institucioneve. Përpara mbërritjes së forcave speciale, protestuesit sulmuan godinën e Komisariatit Nr. 3, duke i vënë zjarrin një zyre në brendësi të tij. Si pasojë e këtij incidenti, disa efektivë policie që ndodheshin në shërbim për ruajtjen e objektit kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar me urgjencë pranë Spitalit Universitar të Traumës (SUT) për ekzaminime dhe trajtim mjekësor.
Paralelisht, objekt i sulmeve me mjetet djegëse u bë edhe godina e Ministrisë së Brendshme, ku hedhja e molotovëve dhe fishekzjarreve nga ana e protestuesve shkaktoi flakë në disa pjesë të godinës, përfshirë derën kryesore të hyrjes. Zjarri u vu nën kontroll pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse, ndërsa aktet e goditjes me gurë vazhduan në zonat përreth.
/rtsh.al/