Sunday, 18. October 2026
Sport

Mesazhi i KMSH-së për situatën në Shqipëri, apel institucioneve dhe qytetarëve për vetëpërmbajtje dhe reflektim

GS 18/10/2026 2 Min. Lesezeit

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) ka reaguar publikisht në lidhje me zhvillimet e fundit dhe protestat që po zhvillohen në vend, duke shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë stabilitetin dhe bashkëjetesën qytetare.

Në deklaratën e tij zyrtare, institucioni fetar nënvizon rëndësinë e të drejtave qytetare, ndërsa bën thirrje për shmangien e përshkallëzimit të tensioneve. KMSH-ja u shpreh se “e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve”.

Duke parë situatën e krijuar, Komuniteti Mysliman i drejtohet të gjithë aktorëve shoqërorë dhe shtetërorë me një apel për vetëpërmbajtje dhe dëgjim të ndërsjellë.

“U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes rrugëve institucionale dhe ligjore.

Më tej, KMSH-ja rikujtoi se dallimet politike e shoqërore nuk duhet të cenojnë bashkimin kombëtar, duke theksuar se “Shqipëria është shtëpia e përbashkët e të gjithëve” dhe se “fjala e urtë është më e fortë se zemërimi, ndërsa dialogu është më frytdhënës se përplasja”.

Në përmbyllje të reagimit, Komuniteti Mysliman u shpreh i përkushtuar ndaj harmonisë shoqërore dhe përcolli një lutje për qetësi, udhëzim dhe zgjidhje të drejta për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e vendit.

/rtsh.al/

Teilen: