PSG po përgatitet për një tjetër përballje të nivelit të lartë në Champions League, atë ndaj Barcelonës, sot në Paris. Një përballje që tashmë duket si një finale e mundshme e parakohshme.
Të dyja skuadrat e kanë nisur fuqishëm sezonin, ndonëse hyjnë në këtë ndeshje me gjendje të ndryshme. PSG është ende në kërkim të një qëndrueshmërie më të madhe në paraqitjet e saj.
Në anën tjetër, Barça vjen në këtë ndeshje në një formë të jashtëzakonshme: ende e pamposhtur këtë sezon, duke fituar dy ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve dhe duke ruajtur një ecuri të gjatë pozitive në La Liga.
Megjithatë, Luis Enrique nuk synon të mbështetet te shkëlqimi individual, por te forca e grupit: “Ne përgatitemi për ndeshje si kjo, ashtu siç bëjmë gjithmonë. Ndeshjet e Champions përfaqësojnë nivelin më të lartë të lojës”.
“Më pëlqen shumë mënyra se si luan Barcelona; është kënaqësi të shohësh një ekip me ambicie të tilla. Do të jetë një përballje e ekuilibruar dhe e vështirë, ku detajet e vogla mund të bëjnë diferencën. Duhet ta kalojmë këtë sfidë së bashku, si një ekip,” shpjegoi trajneri spanjoll.
Sipas tij, çelësi për të mposhtur Barcelonën është t’i heqësh kundërshtarit armën e tij kryesore, zotërimin e topit: “Nuk ka pasur kurrë ndeshje ku unë të kem vendosur vullnetarisht t’ia lë topin kundërshtarit. Dua gjithmonë që ekipi im të ketë kontrollin”.
Nëse dëshiron ta mposhtësh këtë skuadër, duhet ta kesh topin. Kur nuk e ke, duhet të përshtatesh dhe të ushtrosh presion për ta rifituar. Është e lehtë të thuhet, por shumë e vështirë të realizohet“, tha Enrique.
“Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur ndaj Lamine Yamal është të kesh topin. Nëse e ke ti topin, nuk e ka ai. Gjithçka bëhet shumë më e qetë. Por, kësaj sfide duhet t’i qasemi kolektivisht, jo duke u mbështetur te një lojtar i vetëm”, tha ai.