Tuesday, 20. October 2026
Futboll

Kovac: Ndeshja e sotme në Champions ideale për Dortmund që t’i japë fund vështirësive në shënimin e golave

GS 20/10/2026 2 Min. Lesezeit

Sipas trajnerit kroat Niko Kovac, përballja e Borussia Dortmund sot në Champions League kundër Sabah mund të jetë mundësia e përkryer për të rikthyer në formë sulmin, i cili kohët e fundit nuk ka qenë efikas.

Ekipi modest azerbajxhanas shkroi historinë ndeshjen e fundit. Në ndeshjen e tyre e dytë në një kompeticion të madh evropian, Sabah regjistroi fitoren e parë në Champions, duke mposhtur Slavia Prague me rezultatin 2-0.

Gjermanët kanë shënuar vetëm dy gola në tre ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, ndërsa për herë të parë që nga shkurti i vitit 2025, nuk kanë arritur të gjejnë rrugën drejt rrjetës në dy ndeshje radhazi: Pas humbjes 1-0 ndaj Bodo/Glimt dhe barazimit pa gola kundër Union Berlin javën e kaluar.

“Duhet të luajmë me shumë më tepër saktësi, precizion dhe automatizëm në zonën e fundit të fushës. Duhet t’i kthehemi shpejt kësaj mënyre loje, sepse ndeshjet mund t’i fitosh vetëm duke shënuar gola“, u shpreh Kovac, duke iu referuar repartit të sulmit të skuadrës së tij.

“Është e qartë se po kalojmë një periudhë disi të vështirë. Të luash tri ndeshje radhazi pa fitore nuk është diçka normale për Borussia. Por, duhet të kujtojmë se kemi krijuar një pozicion të shkëlqyer që në fillim të sezonit, si në Bundesligë, ashtu edhe në Kupën e Gjermanisë dhe në Ligën e Kampionëve”, tha Kovac.

“Duam të marrim më shpesh iniciativën në sulm, të jemi agresivë e të vendosur, të krijojmë raste për shënim, të shënojmë gola dhe të rifitojmë atë uri për të fituar ndeshjet me çdo kusht. Kur ke një sfidë të tillë mund të udhëtosh me entuziazëm dhe pritshmëri. Ky duhet të jetë mentaliteti ynë tani“, tha kroati.

Teilen: