Protestës së studentëve, e cila ka hyrë në ditën e tetë, i janë bashkuar edhe pedagogët dhe përfaqësues të sindikatës së punonjësve të universiteteve në Shqipëri.
Pedagogët janë mbledhur në sheshin para Universitetit Politeknik të Tiranës, në shenjë solidariteti me studentët protestues.
Gazetarja Elda Lamja raportoi se punonjësit dhe pedagogët e universiteteve në të gjithë vendin kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar protestës, duke theksuar se qëndrojnë në mbështetje të studentëve që prej ditës së parë të tubimit.
Përmes një slogani të tyrin, “Stop dhunës ndaj studentëve”, pedagogët kanë shprehur solidaritetin me të rinjtë.
“Jemi kundër dhunës së policisë dhe në solidaritet të plotë me studentët. Sot jemi në një situatë që duhet zgjidhje, dhe kjo zgjidhje duhet të vijë nga politika”, u shprehën pedagogët.
/rtsh.al/