Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, foli për “Sky Sport” në prag të ndeshjes së Champions League kundër Shakhtar Donetsk, duke theksuar se skuadra duhet të korrigjojë gabimet individuale dhe mungesën e perceptimit të rrezikut.
“Për nga paraqitja, duhet të jemi të ngjashëm me dy ndeshjet e para, por duke shmangur shumë gabimet individuale, mendore dhe të përqendrimit. Mendoj se 90% e golave që kemi pësuar kanë ardhur nga gabimet tona. Kemi folur shumë për këtë problem, që po përsëritet dhe duhet korrigjuar”.
Mbrojtësi zikaltër u pyet nëse ndien ndryshim mes kampionatit dhe Champions-it: “Fjalët ‘mungesë agresiviteti’ dhe ‘sipërfaqësi’ përdoren shpesh. Askush nuk hyn në fushë me qëllimin për ta nënvlerësuar ndeshjen, por kur kjo ndodh në disa sfida, duhet analizuar. Problemi nuk është aq mungesa e vëmendjes, sa mungesa e perceptimit të rrezikut. Pikërisht këtu duhet të përmirësohemi”.
Një gjykim edhe mbi Shakhtarin: “Nuk e njohim shumë mirë, por e kemi analizuar. Është skuadër teknike, luan edhe me portierin dhe nuk ka frikë. Duhet të mbrohemi si ekip, të qëndrojmë kompaktë dhe të vëmendshëm. Duhet të përmirësohemi ne, sepse nuk ekzistojnë më ndeshje të lehta ku shkon dhe fiton pa vështirësi”.