Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) do të jetë sërish në krah të studentëve në protestën e sotme, e cila pritet të zhvillohet në orën 10:00. Pedagogu Zylyftar Bregu, i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri – Aktualitet”, deklaroi se vendimi për t’iu bashkuar protestës vjen në shenjë solidariteti me studentët, ndërsa theksoi se kërkesat e tyre janë të drejta. Bregu bëri të ditur se Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka vendosur që mbështetja ndaj studentëve të mos mbetet vetëm në nivel deklaratash, por të shprehet përmes pranisë së përditshme në protestë.
“Sot Sindikata e Universiteteve Publike ka marrë një vendim që solidariteti të mos jetë vetëm me fjalë, por konkret, duke dalë çdo ditë te Korpusi i Universitetit rreth orës 10:00. Do të shihet çfarë do të ndodhë. Uroj që kjo gjë të zgjidhet dhe të zgjidhet në të mirë të Shqipërisë”, u shpreh ai.
Megjithatë, pedagogu shfaqi rezerva lidhur me mundësinë e një zgjidhjeje të shpejtë të situatës, duke theksuar se shenjat aktuale tregojnë se procesi mund të kërkojë kohë.
“Shenjat janë që do të duhet kohë të zgjidhet dhe nuk jam shumë optimist për zgjidhjen e afërt”, tha Bregu. Ky i fundit shpjegoi se lëvizja e pedagogëve vjen pas disa ditësh, gjatë të cilave ata nuk kanë zhvilluar mësim për shkak të bojkotit të studentëve, të cilët kanë braktisur auditorët dhe kanë dalë në shesh për të protestuar.
“Ka disa arsye përse erdhi tani kjo lëvizje e tyre. Arsyeja është se pedagogët prej një jave, pavarësisht një lloj heshtjeje të tyre, nuk po bënin mësim, sepse auditorët ishin bosh. Meqenëse studentët e kishin bojkotuar mësimin dhe kishin dalë në shesh e protestonin, pedagogët vendosën të solidarizoheshin me studentët dhe të bëheshin pjesë e protestës”, deklaroi Bregu.
Sipas tij, vendimi për t’u solidarizuar me studentët është hapi i duhur, pasi kërkesat e tyre konsiderohen të drejta. Pedagogu theksoi se stafi akademik nuk mund t’i lërë studentët vetëm në këtë përshkallëzim të marrëdhënieve me pushtetin, qeverinë dhe policinë.
“Bënë gjënë më të mirë që u solidarizuan me studentët. Vlerësojnë se kërkesat e studentëve janë të drejta. Nuk mundet që pedagogët t’i lënë studentët vetëm në këtë përshkallëzim të marrëdhënieve të studentëve me pushtetin, qeverinë, policinë”, u shpreh ai.
Një tjetër çështje e ngritur nga Bregu lidhet me problemet e pazgjidhura të universiteteve publike, të cilat, sipas tij, vijojnë që nga protesta studentore e vitit 2018 dhe marrëveshja e njohur si “Pakti për Universitetin”. Ai argumentoi se, pavarësisht angazhimeve të marra në atë kohë, shumë prej problematikave kanë mbetur pa zgjidhje, ndërsa universitetet publike nuk kanë përfituar nga përmirësimet e pagave në sektorin publik në të njëjtën masë si sektorët e tjerë.
“Problemet e tyre kanë mbetur të pazgjidhura që prej vitit 2018, kur u bë protesta e parë e studentëve dhe u bë ajo që u konsiderua si ‘Pakti për Universitetin’, por që mbeti rrugës. Qeveria, nga viti 2018, për tetë vite ka bërë përmirësim të pagave në sektorin publik, ndërkohë që universitetin e ka lënë jashtë dhe niveli i pagave të pedagogëve është i njëjtë që nga viti 2018, ku, për hir të së vërtetës, u bë një rritje modeste”, deklaroi Bregu.
Sipas tij, pakënaqësitë e mbartura ndër vite dhe mungesa e zgjidhjeve konkrete kanë ndikuar në situatën aktuale, duke bërë që solidariteti mes studentëve dhe pedagogëve të marrë një formë më të drejtpërdrejtë. I pyetur nëse zgjidhja e situatës duhet të vijë përmes një marrëveshjeje politike apo përmes dialogut mes palëve të përfshira në konflikt, Bregu u shpreh se përgjigjja duhet të jetë politike dhe se përgjegjësia kryesore i takon mazhorancës qeverisëse.
Sipas tij, kryeministri duhet të paraqesë alternativa konkrete për zgjidhjen e krizës, të cilat më pas duhet të diskutohen nga aktorët e tjerë politikë, institucionalë dhe përfaqësuesit e protestës.
“Zgjidhja duhet të jetë një zgjidhje politike dhe përgjegjësinë kryesore e ka mazhoranca, kryeministri. Ai duhet të ofrojë një numër zgjidhjesh dhe më pas aktorët e tjerë politikë, institucionalë dhe aktorët që janë në bulevard duhet t’i bisedojnë dhe të shkojnë te zgjidhja më e mirë, te kthimi i Shqipërisë në normalitet”, theksoi Bregu.
/rtsh.al/