Surprizë në minutën e 68-të të ndeshjes Inter-Shakhtar Donetsk. Alessandro Bastoni, mbrojtësi i zikaltërve, u përjashtua nga gjyqtari gjerman Harm Osmers, pasi mori dy kartonë të verdhë.
Kartoni i dytë erdhi pasi Bastoni shtyu kundërshtarin Oleg Ocheretko brenda zonës së rreptësisë. Gjyqtari nuk pati tolerancë ndaj mbrojtësit, të cilin e kishte ndëshkuar me të verdhë edhe në minutën e 66-të, pas sinjalizimit të gjyqtarit të katërt. Dy kartonë të verdhë brenda dy minutash e detyruan Bastonin të linte fushën, mes protestave të tij.
Interi mund të ndërhyjë në merkaton e janarit për të përforcuar repartin difensiv. Sinjalin e dha vetë presidenti zikaltër, Beppe Marotta, para ndeshjes në “San Siro” kundër Shakhtar Donetsk: “Na mungon një lider në mbrojtje? Jam dakord. Fatkeqësisht, jemi detyruar të bëjmë pa 4 lojtarë të këtij reparti, gjë që na ka krijuar vështirësi konkrete”.
Megjithatë, drejtuesi i Interit theksoi se përgjegjësia për problemet e skuadrës nuk duhet t’i ngarkohet vetëm mbrojtjes: “Duhet të themi gjithashtu se në fushë luhet gjithmonë me 11 lojtarë, të ndarë në tri reparte. Prandaj, nuk mund të fajësoj vetëm mbrojtjen”.




