Tre persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Start 3”, pasi dyshohet se përgatitnin dhe shisnin kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit.
Në pranga kanë rënë A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, banues në Sanxhak, Laç, si dhe N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel. Nga hetimet paraprake dyshohet se tre personat bashkëpunonin me njëri-tjetrin për përgatitjen dhe shitjen e lëndës narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi 94.70 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 13 telefona celularë dhe dy peshore elektronike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu një automjet dhe një orë dore e markës “Rolex”.
Sipas Policisë, arrestimet u kryen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, pas një hetimi të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës.
Njoftimi i policisë:
DVP Dibër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Start 3”
Shisnin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Burrelit, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në ambientet e banesave të këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan;
-94.70 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë
-19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm
-13 telefona celularë
-2 peshore elektronike
-1 automjet
-1 orë dore e markës “Rolex”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, si rezultat i një hetimi proaktiv, të kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve në fushën e narkotikëve, finalizuan operacionin policor të koduar “Start 3”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, banues në Sanxhak, Laç;
N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatitnin dhe shisnin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/