Sezoni për Khvicha Kvaratskhelia mund të konsiderohet i mbyllur. Anësori i PSG pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar të përparmë (ACL) në gjurin e djathtë gjatë ndeshjes së Champions League kundër Barcelonës (parizienët fituan 4-2).
Bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë që do ta mbajë lojtarin me numrin 7 të PSG larg fushave për një periudhë të gjatë. Ndërhyrja kirurgjikale është planifikuar për më vonë gjatë këtij muaji dhe vetëm pas kësaj procedure do të mund të përcaktohet një afat i saktë për rikuperimin e tij.
Pavarësisht këtij pengese të rëndë fizike, klubi francez nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projekti i tij që ka në qendër gjeorgjianin. PSG synon të vazhdojë negociatat për rinovimin e kontratës, të cilat kishin nisur tashmë në javët e fundit, me qëllim zgjatjen e marrëveshjes me Kvaratskhelia deri në vitin 2032.
Ende duhet arritur një marrëveshje përfundimtare mbi kushtet financiare. Gjeorgjiani ka zhvilluar dy sezone të nivelit të lartë, duke rritur vlerën e tij në treg, ndonëse PSG mbetet e përkushtuar për të ruajtur një strukturë të ekuilibruar pagash dhe për t’iu përmbajtur parametrave të saj financiarë.