Friday, 23. October 2026
Sport

Gjykata liron të miturin e arrestuar për protestën, cakton “detyrim paraqitje”

GS 23/10/2026 2 Min. Lesezeit

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka urdhëruar lirimin e një të mituri të arrestuar gjatë protestave, i dyshuar për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik dhe shkatërrim të pronës.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e një mase sigurimi personal ndaj të miturit me inicialet A. B. Gjykata vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e kryer më 20 tetor 2026, në orën 23:30, por vendosi që masa e sigurisë të jetë detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës.

Sipas vendimit, i mituri duhet të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji, në orën 10:00. Gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga paraburgimi, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.

Seanca gjyqësore u zhvillua në praninë e prindërve dhe psikologëve, në përputhje me garancitë procedurale për mbrojtjen e të drejtave të të miturve. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga e nesërmja e njoftimit.

Teilen: