Friday, 23. October 2026
Sport

​Kosova synon sonte fitoren ndaj Estonisë për të avancuar drejt Botërorit

GS 23/10/2026 2 Min. Lesezeit

Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e vajzave nis sot rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Botëror, me synimin për ta kaluar me sukses raundin e parë dhe për të avancuar në fazën e fundit kualifikuese.

Vajzat e Kosovës do të përballen me Estoninë në dy ndeshje, të cilat do të zhvillohen në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ndeshja e parë luhet sot, nga ora 20:00, ndërsa dueli i dytë është në program të shtunën, nga ora 17:00.

Kombëtarja që tregohet më e suksesshme në këto dy përballje do të sigurojë kalimin në raundin e fundit kualifikues për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.

Kosova synon ta vazhdojë traditën e suksesshme të dy kampanjave të fundit, në të cilat arriti ta kalojë raundin e parë kualifikues.

Për Botërorin e vitit 2023, Kosova u përball me Ishujt Faroe në dy ndeshje të zhvilluara në Istog. Më 3 nëntor 2022, vajzat kosovare triumfuan me rezultat 27:24, ndërsa dy ditë më vonë, Ishujt Faroe fituan 29:28. Megjithatë, falë fitores në ndeshjen e parë, Kosova siguroi avancimin në raundin tjetër, ku më pas u eliminua nga Polonia.

Edhe në kualifikimet për Botërorin e vitit 2025, Kombëtarja e Kosovës tregoi paraqitje të mira. Në fazën grupore të raundit të parë, të zhvilluar në Hasselt të Belgjikës, Kosova e mposhti fillimisht Belgjikën me rezultat 32:28, më 25 tetor 2024. Një ditë më vonë, triumfoi edhe ndaj Bosnjë-Hercegovinës, me shifrat 32:26.

Megjithatë, në raundin e dytë kualifikues, Kosova u eliminua nga Suedia.

Përballë Estonisë, Kosova vlerësohet favorite, por për ta konfirmuar këtë epitet, vajzave kosovare do t’u duhet përqendrim maksimal në të dy ndeshjet.

Teilen: